Lideri i opozitës Sali Berisha ka shfrytëzuar përvjetoret e krijimit të degëve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin për të nisur fushatën elektorale.
Nga Gjirokastra, Berisha u bëri apel demokratëve që të fokusohen te puna me diasporën, pasi vota e tyre është e rëndësishme për betejën zgjedhore të 11 majit.
“Të shumtit tanë janë në emigracion. Shumica e qytetarëve të Gjirokastrës, qarkut janë në emigracion. Beteja jonë është për ta regjistruar secilin prej tyre. Prandaj, miqësisht, vëllazërisht ju lutem, çdo telefon, çdo lidhe që keni, ta përdorni për t’i ftuar që të firmosin me 11 maj rotacionin, të firmosin ndryshimin”, tha Berisha.
Berisha shfrytëzoi takimin në Gjirokastër për të sqaruar programin e Partisë Demokratike, duke nisur nga premtimet për 100 ditët e para të qeverisjes.
“Në tre muajt e parë vendoset minimumi jetik, 200 euro. Nuk ka shqiptarë, të papunë, pensionistë, me ndihmë ekomomike, cilido qoftë ai, që nuk do të marrë në muaj 200 euro. Me 200 euro, se ju e dini, ne zhdukim mjerimin. Nuk ka mjerim me 200 euro për frymë. Së dyti, rrogë minimale nuk mund të ketë në Shqipëri, nën 500 euro”, tha Berisha.
Lideri historik i PD, Sali Berisha, u bëri apel demokratëve që të ngrihen njësoj si 34 vite më parë, duke theksuar se fitorja do t’u përkasë atyre më 11 maj./vizionplus.tv