Një tjetër bazë arsenal armësh është zbuluar nga Policia e Tiranës. Operacioni i koduar “The Van” i realizuar nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2, u finalizua me bllokimin e një sasie të madhe armësh të sofistikuara.
Si rezultat, u arrestua 34-vjeçari Eugert Sino, banues në Tiranë, ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit në rrugën “Myslym Shyri”, në furgonin e 34-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh.
Brenda automjetit ishin fshehur 12 armë zjarri të markave të ndryshme, 6 armë automatike, 5 armë me tytë të gjatë si snajper, 1 silenciator, 17 krehra për armë zjarri dhe 15 mijë fishekë, pjesë armësh dhe pajisje për shpërthime në distancë, municione të tjera si dhe uniforma policie.
Sipas burimeve, armët dyshohet se ishin planifikuar për t’u përdorur nga grupet kriminale që veprojnë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në një objekt pranë po të njëjtës zonë.
Armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të reja dhe besohet se janë trafikuar nga Kosova.
I arrestuari Eugert Sino rezilton me precedent të mëparshëm për vepra të ndryshme penale.
Hetuesit dyshojne se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve.
Çfarë u sekuestrua
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë./vizionplus.tv





