Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare, i lidhur me një bandë që merrej kryesisht me trafikun e drogës është arrestuar në Itali pas një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet belge.

Grupit në kuadër të operacioneve të zhvilluara nga policia belge, iu sekuestruan 100 kilogramë kokainë dhe Speed ​​(përzierje kafeine dhe amfetamine) dhe 265 mijë euro cash.

Hetuesit gjetën gjithashtu armë, uniforma të policisë holandeze, jelek antiplumb dhe substanca kimike, duke demonstruar më tej rrezikshmërinë dhe përgatitjen e bandës.

Në total, u arrestuan 17 persona, 11 prej të cilave në Belgjikë dhe 6 në vende të tjera. Dy persona të tjerë të dyshuar se i përkisnin të njëjtit grup u bllokuan në Toskanë. Emrat e 17 të dyshuarve figurojnë në dy dosje, një nga policia federale belge dhe një nga policia lokale e Antëerp.

Sipas hetimeve, anëtarët e bandës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora.

Mediet italiane shkruajnë se mafia shqiptare merret me gjithçka që lidhet me kokainën, nga importi te shitja e deri te trafiku i armëve.

Emrat e të dyshuarve nuk janë të panjohur për policinë.

Në vitin 2014, krerët e bandës ishin dënuar tashmë me burgim nga 10 deri në 12 vjet; të tjerët me role të vogla kishin marrë dënime nga 3 deri në 7 vjet. Por pavarësisht dënimeve, ata nuk u dekurajuan dhe përkundrazi vazhduan rrugën e tyre kriminale.

Prokuroria belge ka shprehur shqetësimin për këtë lloj klani shqiptar që tashmë është i aftë të degëzohet në mbarë botën. Kjo ndodh jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Është një fenomen, që sipas autoriteteve belge ka nevojë të jetë nën monitorim./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *