Pas disa ditësh diskutime, Këshilli Europian ka vendosur të hapë kufijtë për 15 vende të treta, jo anëtare në union, duke filluar nga nesër.

Por Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të duhet të presin edhe 2 javë deri në rivlerësimin e situatës. Përjashtim bëjnë Serbia dhe Mali i Zi, vendet e vetme në rajon që favorizohen në këtë cështje.

Bazuar në deklaratën zyrtare të këshillit, kriteret e këtij vendimi mbulojnë veçanërisht situatën epidemiologjike dhe masat e kontrollit, përfshirë distancën fizike, si dhe çështjet ekonomike dhe ato sociale.

Për vendet ku kufizimet e lëvizjes do të vazhdojnë të zbatohen, do të lejohen të udhëtojnë vetëm qytetarët e BE-së dhe anëtarët e familjes së tyre, udhëtarët me një funksion thelbësor ose nevojë, si dhe vendet e lidhura me Shengenin, Islanda, Lihtenshtein, Norvegjia dhe Zvicra.

Në deklaratën zyrtare theksohet se rekomandimi i Këshillit nuk është i detyrueshëm por një shtet anëtar nuk mund të heqë kufizimet e udhëtimit për vendet e treta që nuk janë në listë përpara se kjo të vendoset në një mënyrë të koordinuar.

Kjo listë e vendeve të treta duhet të rishikohet çdo dy javë dhe nëse situata në një vend të tretë të renditur përkeqësohet, duhet të zbatohet vendimmarrje e shpejtë.

BE ka mbyllur kufijtë e jashtëm nga data 17 mars, si një masë për parandalimin e pandemisë e cila ka goditur rëndë unionin edhe ekonomikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *