Subscribe

Deklarata e kryeministrit Rama që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President të përbashkët, ka sjellë reagimin e fortë të Brukselit zyrtar.

 

Zëdhënësja e Komisionit Europian Catherine Ray tërhoqi vëmendjen se ky qëndrim mund të interpretohet si një ndërhyrje politike që nuk ndihmon në rrugën drejt integrimit.

 

“Sikurse e dini, BE i ka mbështetur vazhdimisht parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Komisioni Europian do të vazhdojë të punojë fort me të gjitha vendet për ti mbështetur në perspektivën e tyre të integrimit europian. Deklarata të cilat mund të interpretohen si ndërhyrje politike në marrëdhëniet mes fqinjëve nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. BE-ja pret nga i gjithë rajoni që të vazhdojë ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese dhe të fokusohen që të përshpejtojnë procesin e reformave në mënyrë që të përparohet drejt integrimit në BE”.

 

Ideja e Ramës solli deklarata të ashpra edhe nga ana e Serbisë. Ministri i mbrojtjes, Alexandër Vulin e ka quajtur projektin e Shqipërisë së Madhe një kërcënim që duhet frenuar.

 

“Shqipëria e Madhe duhet më në fund, pas shekujsh, të ndalet në zgjerimin e saj. Besoj se Kosova dhe Metohija janë vendi i duhur për të ndalur Shqipërinë e Madhe”, tha Ministri i Mbrojtjes.

 

Me nota proteste ka reaguar edhe një tjetër ministër i kabinetit serb, Nenand Popoviç, duke thënë se deklarata ishte një akt armiqësor ndaj Serbisë.

 

Ai shkoi më tej duke nënvizuar se Rama duhet të shpallet person non grata për shkak të këtij akti dhe mbështetjes së tij për shpërbërjen e Serbisë me synimin e krijimit të “Shqipërinë se Madhe”.

 

Ndërkohë në Prishtinë, kreu i grupit parlamentar te LDK-se, Avdullah Hoti, ka dale kundër idesë se Ramës për presidentin kombëtar, duke thënë se kjo është mungese respekti për aspiratat e kosovarëve.

 

Reagimet e ashpra vijnë në kohën kur BE dhe SHBA janë përkushtuar në konsolidimin e marrëdhënieve mes Prishtinës  dhe Beogradit. Madje sot, ambasadori amerikan Greg Delawie deklaroi se Uashingtoni nuk e mbështet shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë duke e konsideruar këtë si një hap që do të shkaktonte më shumë probleme sesa zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *