Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë të enjten se vendimi i institucioneve të Kosovës për të shpërbërë ekipin menaxhues që ka hartuar projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, cenon germën dhe frymën e marrëveshjes dhe se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

 

Reagimi i Bashkimit Evropian pasoi vendimin e qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra ekipin menaxhues për hartimin e projekt statutit që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë, një ditë pasi ekipi paraqiti projektin gjatë bisedimeve të së martës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Ajo që ndodhi të martën ishte se ekipi menaxhues propozoi dhe dorëzoi projektin e parë, që do të thotë se ne filluam një proces, një proces që nuk ka përfunduar, prandaj vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues cenon germën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zoti Stano.

 

Ai tha se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë dhe as të Kosovës.

 

Klisman Kadiu, këshilltar i kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi tha sot se vendimi i qeverisë për të liruar ekipin menaxhues nga detyra, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

 

“Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Nuk ka një shpjegim të qartë për rolin e ekipit menaxhues për shkak të rrjedhës së procesit të bisedimeve. Dhjetë vjet më parë ishte paraparë që ekipi të themelohet pas zgjedhjeve lokale dhe të punojë për statutin, por kjo nuk kishte ndodhur, duke lënë paqartësi rreth funksionimit të tij. Më vonë ishte themeluar ekipi i cili sipas marrëveshjes duhej të këshillohej me autoritetet e pushtetit qendror në Prishtinë. Por as kjo nuk ka ndodhur. Në dokumentet rreth Asociacionit nuk ka asnjë përcaktim të qartë se sa do të zgjaste mandati i ekipit.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi të martën projekt statutin të cilin e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Ai tha se ka propozuar një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, duke u frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërkaq është shpreh “i brengosur” meqë, sipas tij, “është e qartë se Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin” për themelimin e Asociacionit.

 

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se ky është projekti i parë “që nuk është përfundimtar”, ndërsa u bëri thirrje palëve “të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të jenë gati për kompromis”.

 

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

 

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Serbia dhe përfaqësuesit politik serb të Kosovës thonë se themelimi i Asociacionit dhe largimi i njësive të posaçme të policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, janë kushte për kthimin e punonjësve serbë në institucionet që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar.

 

Subjektet politike serbe bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, gjë që çoi në zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë për këto komuna.

 

Bashkimi Evropian shprehu shqetësimin për situatën në terren dhe se sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josef Borrell, “është e qartë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Përkundrazi mund të çojnë në përshkallëzim dhe të pengojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.

 

Zoti Borrell, u ka bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri, ndërsa është paralajmëruar që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut ndërmjet kryenegociatorëve më vonë gjatë këtij muaji./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *