Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikat e jashtme Federika Mogerini, deklaroi se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor, nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian në dy vitet e ardhshme. Gjatë një interviste për televizionin slloven RTV, Mogerini shtoi se vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin janë ende në fillim të reformave.
Megjithatë, përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se procesi i zgjerimit në union nuk është ndalur, por theksoi se për funksionimin e procesit të anëtarësimit duhen reforma ekonomike, gjyqësore e institucionale, si dhe bashkëpunim me fqinjët. Edhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, në fjalën e tij para parlamentit, u shpreh se procesi i zgjerimit do të vazhdojë, por asnjë vend i ri nuk do të anëtarësohet deri në fund të mandatit të tij.