Subscribe

Lulzim Basha ka vendosur t’i dalë përballë Sali Berishës, jo vetëm personalisht, por edhe me forumet më të larta drejtuese të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e kryesisë të thirrur sot pasdite, ai bëri të qartë se në 11 dhjetor nuk do të ketë asnjë Kuvend Kombëtar, ndërsa kuvendi i vërtetë do të thirret në 18 dhjetor.

 

“Nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor. 11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës.”

 

Partia Demokratike, sipas Bashës, do të përqëndrohet tek kthimi i opozitës në pushtet, ndërsa bëri të ditura edhe tre pikat e rendit te ditës të Kuvendit:

 

“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

 

II. Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

 

III. Miratimin e programit organizativ të partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm-Forca e vetme politike, që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”.

 

Kuvendi pritet të urdhërojë edhe disiplinimin e strukturave. “Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.

 

Basha u kujdes t’i çonte një mesazh edhe Berishës për aksionit politik të Foltores.

 

“Nëse plani i “Foltores” i Sali Berishës është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij, e kontributit të tij jo thjesht për PD, por për Shqipërinë  tij. Shantazh PD-së se ‘po erdhën zgjedhjet ne do t’ju dëmtojmë, që ju të mos arrini rezultat përballë Edi Ramës, ky është fundi.  Uroj që të paktën këtë hap të mos e hedhë’”.

 

Kreu demokrat hodhi akuza se njerëz të shumicës apo persona të lidhur me krimin janë në mbështetje të “Foltores”.

 

“Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Çela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD? Po Tom Doshi? Kush ma shpjegon?”

 

Përballë këtyre akuzave, kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i kërkoi Bashës që t’i çojë faktet në prokurori. Por lideri demokrat u përgjigj se ishte aq i përgjegjshëm sa të mos fusë prokurorinë në parti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *