Kryedemokrati Lulzim Basha premtoi një përmirësim të klimës së të bërit biznes në Shqipëri, me ngjitjen e PD në pushtet.
Gjatë një takimi që pati me drejtuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, Basha tha se fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja dhe mbështetja e bujqësisë janë prioritete të PD.
“Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë. Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike. Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.”
Basha tha se në planet e PD është edhe ulja e barrës fiskale.
“Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eleminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.”