Evi Kokalari, aktiviste shqiptare në SHBA, e quajti të gabuar urimin që kreu i PD, Lulzim Basha dërgoi për Joe Biden për fitoren e zgjedhjeve amerikane.

 

Në një intervistë për “Quo Vadis” në “Vizion Plus”, Kokalari tha se Basha duhet të kishte përdorur logjikën sepse rezultati nuk është shpallur ende zyrtarisht.

 

Sipas saj, Basha është një nga politikanët shqiptarë që i nevojitet më së shumti mbështetja e Amerikës, duke marrë parasysh zgjedhjet që do të zhvillohen.

 

“Mua më erdhi keq që i pari që u prononcua ishte Lulzim Basha. Ai është nga të vetmit që ka nevojë ndihmën e Amerikës mometalisht, sidomos duke patur parasysh që e njëjta gjë do i bëhet edhe opozitës në 25 prill. Macron doli nga të parët në Evropë që e uroi Biden. Por Macron dhe Evropa kanë një dëshirë që Trump të ikë sepse Trump i ka bërë shumë dëm Evropës me të gjitha marrëveshjet që kishin. Evropianët nuk e duan Trumpin. Prandaj kam përshtypjen që këtë e kanë bërë kastile që të dalë Macron i pari, pastaj disa të tjerë që të jepet ideja që Biden paska fituar. Pastaj del edhe Lul Basha. Problemi është që Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme me këto gjëra sepse neve na duhet Amerika më shumë seç i duhet Francës, Gjermanisë. Shqipëria po të ketë Amerikën mike të ngushtë, është gjëja më kryesore, sidomos me zgjedhjet që do të vijnë. Personalisht mu duk e papjekur dhe nuk ishte e nevojshme. Duhet të përdorësh logjikën në këtë rast.”

 

Si pjesë e kampit të Donald Trump, Evi Kokalari u shpreh se kanë në dorë prova që tregojnë se votat janë vjedhur. Ajo shtoi se është e pashmangshme që t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar rinumërimin e votave.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *