Subscribe

Lulzim Basha priti këtë të martë në mesditë në selinë e PD, Ministrin e Jashtëm të Austrisë.

 

Lideri i opozitës tha se me Schallenberg ndau shqetësimin për mosbesimin që qeveria shqiptare ka krijuar tek shumë faktorë europianë, duke mos plotësuar kriteret kryesore për negociatave.

 

Ai shtoi se e ka falenderuar ministrin Schallenberg për mbështetjen që vendi I tij po i jep procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë.

 

Basha garantoi se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të japim gjithë kontributin tonë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike dhe problemet kryesore të shkaktuara nga kjo krizë politike dhe nga kjo qeverisje, që janë, sipas tij, edhe pengesa kryesore për hapjen e negociatave.

 

 

Dua ta them fare qartë para jush dhe para gjithë qytetarëve shqiptarë që rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këto javë që ka mbetur në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj Bashkimit Europian, e sulmeve ndaj  qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar opozitës, Partisë Demokratike, medias, madje edhe qytetarëve, për të hequr vëmendjen dhe për të hequr përgjegjësinë nga, në fakt, i vetmi njeri përgjegjës në këtë situatë. Dështimi për herë të katërt ka vetëm një firmë, vetëm një vulë, vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Përtej këtij dështimi Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe për t’i zgjidhur problemet që na mbajnë peng.

 

 

Basha këmbënguli se opozita e ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Ai shtoi se PD dhe opozita kanë objektiva konkrete për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e krimit me politiken .

 

 

Opozita e bashkuar është në krye të detyrës. Propozimi ynë për daljen nga kriza dhe, në veçanti, propozimi për reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë. Dhe me këtë përgjegjësi që kemi marrë para shqiptarëve, me të njëjtën përgjegjësi kam konfirmuar sot Ministrit të Jashtëm austriak se mund të mbështeten plotësisht tek PD, tek opozita e bashkuar. Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit i lidhjeve të politikës me krimin, i kapjes së shtetit dhe asgjësimit të pushteteve të pavarura, qofshin drejtësia apo media e pavarur, dhe se synimi ynë kryesor është që, përmes zgjidhjes politike, t’u ofrojmë shqiptarëve atë që meritojmë. Të dalim nga marshi indietro ku e ka futur ekonominë dhe politikën kjo qeveri dhe ky kryeministër dhe të ecim përpara me vendosmëri, me vizion dhe me qartësi të plotë për të kryer detyrat tona të shtëpisë, duke luftuar korrupsionin, duke shkatërruar lidhjen e krimit me politikën, duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar, të oligarkëve dhe bandave kriminale dhe duke i kthyer këto para aty nga janë vjedhur, në xhepat e shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *