Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Fushë Kruja është shprehur se vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit të Edi Ramës në këto 6 vjet janë kundër biznesit të vogël.

 

Sipas kryedemokratit Basha, vendime të llogaritura për të pasuruar veten, familjen e tij dhe një grusht klientësh.

 

Ndër të tjera në takimin e tij me strukturat e PD-së në Fushë Krujë, lideri i opozitës ka folur edhe për monopolin e ri privat që po vendos me ligj qeveria për faturimin elektronik.

 

“Hajduti psiqik i është vërsulur biznesit të vogël për t’i marrë edhe qindarkën e fundit me aferën e sistemit të ri të faturimit të biznesit, nëpërmjet të cilit do të nxjerrë jashtë përdorimit 140 mijë kasa fiskale dhe do të detyrojë biznesin e vogël t’i paguaje Olsi Ramës dhe këshilltarit kroat të Ramës 50 deri në 110 Euro për çdo biznes.  Kjo zhvatje e re bëhet për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Hajdutit Psiqik, ndërkohë që oligarkëve u fali dividentin, bregdetin, naftën, mineralet, lumenjtë dhe pyjet. Për të përforcuar mesazhin se politika e Edi Ramës nuk është në shërbim të interesit publik, kreu i opozitës, renditi disa nga aktet e kësaj qeverie në shërbim të pakicës me të cilën grabit. “Janë këta që votuan për t’i kthyer dividentin oligarkëve,  janë këta që votuan mega-vjedhjen Milot-Balldren 15 milionë euro për km, janë këta që votuan grabitjen e Teatrit Kombëtar për 6 kullat 200 milionë euro të treshes Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës.”

 

Gjithashtu kreu i opozitës vuri në dukje se e gjithë ekonomia dhe pasuritë e vendit janë në duart e pak njerëzve përreth Edi Ramës.

 

“Janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin mundin, djersën, pronat e shqiptarëve në bashkëpunim me Edi Ramën.  Nuk bëjnë asgjë për njerëzit e thjeshtë.  Vetëm vjedhin me koncesione, me PPP, me tendera, me leje ndërtimi, me ligje special dhe me çdo mënyrë që munden. Ata nuk lejojnë asnjeri tjetër të krijojë, të konkurojë, të ndërtojë, të provojë.”

 

Basha gjithashtu ka ripërsëritur se përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 Qershori  përbën dhe një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim. Ndryshim në aspektin ekonomik, ndryshim në aspektin politik, për t’i dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *