Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi këtë të hënë një takim me përfaqësues të biznesve për të diskutuar me ta mbështetjen që u ka ofruar qeveria.

Gjatë bashkëbisedimit, lideri demokrat arriti në përfundimin se qeveria ka dështuar në menaxhimin e krizës dhe se për këtë shkak mijëra qytetarë do të ngelen të papunë.

“Sot u takova me Përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë të cilët ndanë shqetësimet e tyre të mëdha për krizën. Paketat ekonomike të qeverisë nuk e kanë ndihmuar aspak këtë sektor që çdo ditë e më shumë po varfërohet dhe rrënohet nga pandemia e krizës ekonomike. Mungesa e likuiditetit në zinxhirin prodhues shoqëruar dhe me mungesën e aksesit në garancinë sovrane e ekspozojnë sektorin e prodhimit shqiptar ndaj rrezikut nga falimentimi, çka do të çojë në largimin e mijëra shqiptarëve nga puna. Sot ka shumë qytetarë që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë nga qeveria. Shumica e bizneseve nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe po detyrohen të mbyllen dita-ditës. Qeveria dështoi në menaxhimin e krizës që erdhi nga pandemia, duke u shkaktuar një dëm të madh shqiptarëve dhe duke vepruar vetëm në favor të klientëve të saj.”

Lulzim Basha tha se duhet të përmbushen kërkesat e biznesve që të shmanget katastrofa ekonomike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *