Politologu Ermal Hasimja ka komentuar në edicionin e lajmeve në “Vizion Plus” të rejat e atmosferës zgjedhore, duke nisur që nga libri i Lulzim Bashës e deri tek incidentet elektorale. Duke iu referuar librit të parë të botuar të kryedemokratit Basha, “Misioni im”, Hasimja theksoi se këto elemente nuk kanë ndikim aq të madh tek votuesit.

“Është një ide që është marrë nga fushata anglosaksone. Nuk besoj që do të jetë libri më i shitur i vitit, janë më tepër deklarata politike, sesa mund të lexohen. Ata që janë vetë me PD-në nuk kanë ndonjë interes, pasi ata PD-në do të votojnë gjithsesi. Ata që janë të pavendosur, nuk i hyjnë aq thellë. Nuk pres që ndonjë të ndërrojë mendje nga leximi i librit të Bashës. Duhet të kemi parasysh që elemente të tilla në zgjedhje ndikojnë shumë pak. Njerëzit futen në fushatë elektorale me vendimin e marrë se me kë do votojnë.”

I pyetur se si pritet të jetë qasja e partive dhe e kandidatëve kundrejt votuesit, Hasimja deklaroi: “Në parim, me fushatat e tjera, e vetmja gjë që mungon janë mitingjet. Takimet vazhdojnë të bëhen, edhe pse të reduktuara. Nuk shoh ndonjë ndryshim shumë të madh. Do të përbëjë ndryshim pjesa e takimeve me 50 a 100 veta. Nuk e di si do t’i menaxhojnë këto. Takimet individuale në rrugë do të vazhdojnë.”

Sipas tij, programi i opozitës është më i qartë në krahasim me atë të mazhorancës, të cilin e konsideroi përsëritës.

“Nga pikëpamja e mazhorancës, nuk shoh ndonjë përpjekje për të dalë me një program të qartë, është ripërsëritëse. Nga ana e opozitës, kemi një formulim pak më të qartë tek pjesa e asaj çfarë mund të bëhet. Opozita është pak me e qartë tek pjesa e përmbajtjes, e asaj çfarë ofron.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *