Lideri i opozitës Lulzim Basha ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën si ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit. Gjatë një takimi me sipërmarrës Basha ka deklaruar se kjo pandemi i dha goditjen e fundit ekonomisë, që ishte në krizë sipas tij për shkak të qeverisë Rama.

 

“Në kuptimin shëndetësor nuk ka nevojë të zgjatem, sepse është një katastrofë totale. Tani që flasim, Tirana, e gjithë Shqipëria është kthyer në një spital të madh, ku njerëzit po mundohen të kurohen nëpër shtëpia sepse spitalet janë plot”, tha Basha.

 

Gjate bashkëbisedimit me biznesin Basha ka shpjeguar programin e PD për të nxjerrë vendin nga kriza, duke nisur nga ulja e taksave.

 

“Zotim i yni, taksë e sheshtë 9%. Më shumë para mbeten në xhepat tuaj për të investuar dhe punësuar.”

 

Basha ka replikuar edhe me kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar se prej 8 vitesh është në krye të qeverisë, raporton Vizion Plus.

 

“Nuk kemi qeveri normale dhe s’kemi një kryeministër normal, këto dy muajt e fundit një gjë duhet të bënte; të kërkonte falje dhe duhet të ikte një orë e më parë. Tani ka ditë për ditë që shpalos të tjera premtime boshe, s’ka mbajtur asnjë nga premtimet që u dha as sipërmarrjes, as prodhuesve, as sipërmarrjes së vogël, as qytetarëve.”

 

Lideri i opozitës Basha ka premtuar se në rast se fiton zgjedhjet do të ulë çmimin e energjisë dhe të naftës për të ulur kostot e biznesit dhe nuk do të favorizojë asnjë sipërmarrës me ligje special.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *