Subscribe

Lulzim Basha është kthyer në Durrës për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe deklarata e parë që lideri i opozitës ka bërë para demokratëve është se nuk do ta njohë rezultatin e 25 prillit. Nga qyteti bregdetar Basha ka sqaruar se zgjedhjet parlamentare ishin një masakër elektorale ku dominoi shitblerja e votës dhe shteti u përdor në funksion të partisë socialiste.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi.”

 

Basha u ka premtuar demokratëve se do të çojë deri në fund betejën kundër manipulimit të zgjedhjeve duke nisur nga 180 paditë që janë depozituar në prokurori deri tek procesi i ankimeve në Kqz.

 

“Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit, pasi prishën Kushtetutën dhe pasi miratuan në mënyrë anti-Kushtetuese ndryshimet e 5 tetorit. Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi.”

 

Për herë të parë Basha ka folur për Partinë Demokratike, për zërat kritikë kundër tij, duke lajmëruar se së shpejti edhe vete ai do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor.

 

“Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, investimet, sakrificën, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj. Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë por një gjë na bashkon; vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.”

 

Por sipas Bashës të gjitha këto debate do të spostohen në kohë, pasi prioritet është beteja për zgjedhje të lira e të ndershme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *