Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh i bindur se opozita do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 2021. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, ku u votua përbërja e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve të PD, Basha tha se në shtator do të nisë fushata elektorale.

“Muaji gusht do të jetë muaj pune intensive. Krahas perzgjedhjes së kandidatëve ne do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do të ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri tek selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitorën e zgjedhjeve dhe hapjen e nje kapitulli te qeverisjës për qytetarët dhe me qytetarët.”

Sa i përket komisionit të ngritur për të kaluar në “sitë” kandidatët për deputetë të PD, Basha tha se anëtarët janë zgjedhur mes më të mirëve.

“Emrat e propozuar nga anëtarësia përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme. Përmes ketij procesi, ne kemi të identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen për kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore. Më të mirët e më të mirëve për të sjellë ndryshimin që presin shqiptarët, zhvillim dhe punësim.”

Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli dhe Enriketa Papa janë pesë anëtarët e zgjedhur për Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *