Subscribe

Kryedemokrati Lulzim Basha premtoi se nëse vjen në qeveri pas 25 prillit, së bashku me ekspertët më të mirë të fushës së arkitekturës dhe nixhinierisë, do të përshpejtojë procesin e rindërtimit, që sipas tij, ka ngecur në vendnumëro.

Gjatë një takimi me banorët e dëmtuar nga tërmeti në Durrës, lideri demokrat theksoi se të gjithë ata që kanë përfituar nga tërmeti në mënyrë të padrejtë, do të hetohen nga një komision i posaçëm parlamentar.

“Jo vetëm kemi menduar një plan por ne kemi sjellë së bashku ekspertët më të mirë të vendit. Emra shumë të njohur, arkitektë, urbanistë, inxhinierë, konstruktorë, figura të njohura kombëtare me përvojë të jashtëzakonshme përfshirë këtu edhe durrsakë, të cilët janë trajnuar apo rikualifikuar në qendrat e ekselencës në Europë, në disa prej fushave kryesore që kanë të bëjnë me rindërtimin, në planifikimin dhe riplanifikimin urban, në fushën e arkitekturës dhe të inxhinierisë së ndërtimit dhe në fushën e rikuperimit nga fatkeqësitë natyrore, nga tërmeti dhe nga fatkeqësitë natyrore në tërësi. Është një grup që përbëhet nga afro 50 ekspertë, të paktën gjysma e të cilëve janë inxhinierë me përvojë dhe pjesa tjetër siç ju thashë mbulojnë këto fusha të tjera që kanë të bëjnë edhe me pjesën urbanistike, pjesën e rikualifikimit urban, pjesën e trajtimit të veçantë që i bëhet siteve, vendeve të goditura nga fatkeqësitë natyrore. Dhe detyra kryesore që iu është dhënë është si do të përshpejtojmë procesin e rindërtimit, i cili si çdo gjë në vend ka mbetur peng i interesave korruptive, ka mbetur peng i interesave financiare dhe i lobingjeve personale dhe vetjake të një grushti pushtetarësh dhe një grushti tjetër njerëzish të lidhur me ta. Jo vetëm kaq, por ky grup pune ka marrë për detyrë që të hartojë edhe një dokument i cili do të provojë bazën e një bashkëpunimi të ri me Bashkimin Europian dhe donatorët e tjerë.”

Në bashkëbisedimin me Bashën, banorët u shprehën se edhe pas një viti e gjysmë, ende nuk kanë gjetur zgjidhjen përfundimtare për banesat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *