Subscribe

“Situata është bërë edhe më e vështirë për Shqipërinë me kushtet aktuale për integrimin në BE”. Ky është qëndrimi i kryetarit të opozitës Lulzim Basha, i cili nga Brukseli nënvizoi krizën politike dhe zgjedhjet sipas tij te manipuluara të 30 qershorit. Për këtë ai solli si shembull edhe raportin e OSBE-ODIHR-it për procesin zgjedhor.

 

“Në Asamblenë Politike të PPE-së, kam gjetur mundësinë për t’u shpjeguar partive tona simotra, se megjithë gjendjen e vështirë, megjithë faktin se tashmë e pranon gjithkush se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet e vëna për të hapur negociatat, lypset një vendim politik. Një vendim politik i cili nga njëra anë t’i sinjalizojë popullit shqiptar se Europa me të vërtetë i mban dyert e hapura dhe nga ana tjetër, për t’u dhënë një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare, se Bashkimi Europian, vendet anëtare, tashmë përmes procesit të negociatave, do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë. Ky presion do të ndihmojë për të kapërcyer krizën kushtetuese, demokratike dhe institucionale të vendit, përmes të vetmit instrument që njeh Evropa, që njohin demokracitë, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”

 

Ndërsa gjithë vëmendja është tek përgjigjja në muajin tetor nga Këshilli Europian Basha thotë se nëse do të ketë një PO me kushte, atëherë kjo do të jetë një ndihmë për Shqipërinë në daljen nga kriza.

 

“Kriteri bazë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian është demokracia dhe këtu konvergojnë jo vetëm interesat e PD dhe opozitës së bashkuar, por të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, për t’i dhënë fund një autokracie të korruptuar dhe të lidhur me krimin, dhe garantuar kushtet për demokraci funksionale. Kjo do të thotë votë të lirë dhe të ndershme, ndëshkim politikanëve të kapur duke bashkëpunuar me krimin për të vjedhur zgjedhjet. E kundërta po ndodh sot në Shqipëri, çështjet e famshme, dosjet “184” e “339” nuk hetohen, dosjen “184” e ka çuar në Dibër që ta mbylli. Një përqasje e tillë do të ndihmonte përpjekjen jo vetëm të opozitës, por të të gjithë shqiptarëve për të rivendosur vendin në shinat e sundimit të ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin dhe mbi të gjitha me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë i vetmi hap që mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku ndodhet.”

 

Sipas Bashes, Brukseli është në dijeni të çdo krize dhe situate politike, për të cilën ka ndihmuar edhe zëri i opozitës së bashkuar përmes protestave. Prandaj çelësin për integrimin, lideri demokrat e gjen vetëm në zgjedhjet e lira e të ndershme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *