Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimet që ka patur në qytetin e Peshkopisë, ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerë në fshatin Grevë.

Fermerët u shprehën se ndihen të braktisur prej tetë vitesh nga shteti dhe se nuk kanë marrë asnjë subvencion. Përveç naftës së shtrenjë dhe taksave të larta, një problem tjetër për ta janë edhe certifikatat e pronësisë.

“Unë jam një nga fermerët e Maqellarës në drejtimin fruti-kulturë. Kam një sipërfaqe me 8 hektarë molla dhe fruta të ndryshme. 8 vite që qeveria fermerët e Dibrës i la në harresë në të gjitha drejtimet, ndiç tek subvencionet, ndaç tek shitja e prodhimeve dhe kanë ndjerë një mungesë shumë të madhe dhe janë munduar vet me fuqitë e tyre, me forcat e tyre, diku dhe me humbje shumë të mëdhaja sepse shteti dhe qeveria nuk funksionojnë. Mos flasim për problematikat që nga kostoja e prodhimit që fillon me naftën, tek traktori që punon tokën. Që t’i marrësh taksë rruge traktorit, kjo ka ndodhur vetëm në shtetin tonë. Traktori që punon tokën, paguan taksë rruge dhe që këtu fillojnë të gjitha problematikat e fermerëve dhe nuk jam në gjendje të nxjerr një kosto prodhimi që të përballojë tregun. Pastaj, fillojmë me radhë deri tek shitja e prodhimit. Fermeri është në mëshirën e fatit, që nga tregtarët që marrin mallin e të gjitha. Një kile mollë sot është 1200, 1300 lekë, kur fermerit ja marrin 200, 300 lekë. Programi juaj, i Partisë Demokratike, ne na ngre shumë lartë dhe subvencionet që ju keni premtuar, ku qeveria thotë ku do i merrni lekët, lekët janë sepse vetëm nga taksa e naftës për rrugën, qeveria mbledh 550 milion euro në vit. Ku shkojnë këto lekë? Po këto janë taksat e traktorit Prandaj unё sot jam kёtu dhe kam ardhur tё mbёshtesё programin tuaj dhe tё uroj fitore” – u shpreh Premtim Agolli.

Baha tha se programi i PD për 100 milionë euro subvencione do të sjellë dy efekte të menjëhershme.

“E para, prodhimet tuaja nuk do kalben, e nuk do frezohen e nuk do hidhen në kanal por do përfundojnë në treg e do shiten me çmime konkurruese ndaj çdo prodhimi tjetër të huaj të eksportuar dhe do të sjellin fitime në xhepat tuaj. Dhe së dyti do të ndihmojmë edhe mirëqenien e pjesës tjetër të popullsisë. Sot mjafton të vësh një kamera në një dyqan në qendër të Tiranës dhe ta shohësh ku ka përfunduar mirëqenia e shqiptarit, shkojnë blejnë dy kokrra domate, një trangull, një gjysmë buke e një shishe dhallë. Pra përmirësimi i gjendjes së fermerit shqiptar, përmirësimi i çmimeve do të sjellë edhe fitime për ju edhe për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike të kostos së jetesës në qytet. Hapi i dytë është infrastruktura dhe me infrastrukturën kam parasysh jo thjesht rrugët që mungojnë, rrugët e aksesit, vaditjen, kullimin, energjinë elektrike, po kam parasysh edhe infrastrukturën e tregjeve sepse edhe monopolizimi i tregjeve është fatkeqësi për ju. Kam para sysh rrjetin e magazinave apo të impianteve të përpunimit sepse me të vërtetë një vit mund të keni mbiprodhim dhe një pjesë mund të shitet në tregun vendas, një pjesë mund ta eksportoni dhe për këtë ne do të investojmë fuqishëm për certifikimin e produkteve tuaja dhe për të bërë të mundur atë që na ka dhënë Bashkimi Evropian që është mundësia për të eksportuar produktet, ta shfrytëzojmë si e shfrytëzon Maqedonia, siç e shfrytëzon Kosova por prapë se pra mund të mbetet një sasi produkti këtu dhe ky nuk duhet të jetë lajm i keq, ky duhet të jetë lajm i mirë, ai produkte le të kthehet në lëng frutash, le të kthehet në marmelatë, në reçel, në turshi apo një tjetër nën produkt e jo të hidhet në kanal por edhe për këtë ka nevojë që të blesh një impiant, ta vendosësh në punë, të punësosh njerëz, kjo nuk duhet të shikohet si krim siç e shikon qeveria sotme por si mundësi , si objektiv, madje ne duhet ti shtyjmë investitorët shqiptar të investojnë të agro-përpunimi. Të dyja këto fusha pastaj lidhen ngushtë edhe me turizmin që është një fushë që  ne vetëm e kemi prekur majën e ajsbergut se turizmi nuk është vetëm plazh edhe det, është edhe agroturizmi, është edhe mundësia për të shpalosur bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të veriu, të verilindje, të jugut, juglindjes ndaj turizmit evropian që i kërkon këto bukuri, ju mungojnë këto bukuri. Ne ne duhet të shtrojmë rrugët drejt agro-turizmit. Fermeri nesër si sipërmarrje nesër, mund  të ketë dhe një bujtinë, mund të ketë dhe një restorant apo qoftë edhe një dyqan ku tregton drejtpërdrejt prodhimet e veta bio. 100 milion Euro subvencione të drejtpërdrejta. 50 milion Euro vit për vit për infrastrukturën bujqësore. Këto janë angazhimet tona të planit 4 vjeçar, në mandatin tonë të parë. Dhe dua ta përfundoj me këtë, disa prej jush e dinë fare mirë që gjysmën e buxhetit Bashkimi Europian e harxhon për fermerët europian.”

Ai shtoi se PD ka ngritur një departament pune që po merret me çështjen e pajisjes së fermerëve me certifikatat e pronësisë.

“Ne duhet ta kishim përmbyll procesin e certifikimit të pronave por nuk arritëm dot ta përmbyllnim. Unë, për këtë ju kam kërkuar ndjesë prej vitit 2013 e në vazhdim. Sot, vij t’ju them se brenda 24 muajve të parë ky problem do të jetë i përmbyllur. Ndërkohë që, këto 24 muaj, mungesa e certifikatës së pronës nuk do të përbëjë shkak ligjor për t’i mohuar asnjë fermeri subvencionin e për të mos i mohuar askujt, të drejtat që ka pavarësisht se shteti ka dështuar dhe i ka lënë në baltë. Kjo qeveri i ka lënë në baltë dhe nuk i ka plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ligjet apo aktet nënligjore për t’i pajisur me certifikatën e pronës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *