Subscribe

Pas takimit që zhvilloi me kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Biznesit të Vogël, lideri demokrat Lulzim Basha tha se biznesi i vogël po shtyhet drejt falimentimit dhe për këtë fajëson kryeministrin Rama.

Në një prononcim për mediat, Basha shprehet se qeveria e ka vëmendjen tek oligarkët dhe jo tek qindra të vetëpunësuar që rrezikojnë “daljen në rrugë si të papunë”. Ndërsa kërkon krijimin e një pakete të qartë masash që do të ndihmojnë në hapjen graduale sipas protokollit të sigurisë.

“Biznesi i vogël është në vështirësi të mëdha dhe po shtyhet drejt falimentimit. Kjo rrezikon daljen në rrugë si të papunë të dhjetëra, ndoshta qindra-mijëra të vëtëpunësuarve nga ky sektor. Gjithë vëmendja e qeverisë është tek oligarkët, nuk është tek njerëzit, nuk është tek biznesi, në veçanti tek biznesi i vogël. Por biznesi i vogël përbën motorrin e ekonomisë shqiptare, përbën bazën e ekonomisë shqiptare dhe përfshin numrin më të madh të të vetëpunësuarve në këtë sektor. Paratë që ka paguar gjatë viteve, taksat që ka paguar gjatë viteve sot ka nevojë më shumë se kurrë t’i marrë mbrapsht ose si lehtësi fiskale, ose si subvencionim, si mbështetje financiare. Dhe po kështu ka nevojë për një paketë të qartë masash që do të ndihmojnë në hapjen graduale, sipas protokollit të sigurisë, por jo hapje thjesht për të mos paguar biznesi. Sepse në qoftë se biznesi hapet, por konsumatori nuk lejohet të shkojë tek biznesi kuptohet qartë se situata është kaotike, është e pashpresë dhe do të vazhdojë të rëndohet.”

Përveç kësaj, Basha argumentoi se biznesi i vogë po vuan masa të tjera arbitrare dhe theksoi se po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme që janë të shkaktuar nga mungesa e mbështetjes. Për këtë arsye, ai mbështet kërkesat e biznesit, të cilat i konsideroi të drejta.

“Ndërkohë paratë e taksave të shqiptarëve vazhdojnë të shkojnë për oligarkët. Paratë e taksave të shqiptarëve shkojnë kudo përveçse aty ku ka më shumë se nevojë se kurrë shqiptarët sot, tek njerëzit në nevojë, tek biznesi i vogël, tek mbështetja tek ata që po humbin vendet e punës. Situata është dramatike. Së pari, mbështesim totalisht kërkesat e drejta të biznesit të vogël. E njohim dhe e kemi ndjekur gjendjen përpara pandemisë. Gjatë pandemisë në mënyrë pothuajse të përditshme kam qenë në kontakt jo vetëm me këta zotërinjtë, por edhe me përfaqësues të biznesit të vogël në qytetet kryesore të vendit. Dhe po vazhdojmë ta ndjekim në kushte kur nga njëra anë pretendohet mbështetje me fjalë, por nga ana tjetër biznesi vetë po denoncon se asnjë mbështetje nuk ka.”

Për Bashën, kryeministri Rama është shkaktar i krizës ekonomike.  

“Taksat ua kanë marrë për vite me radhë, taksat ua kanë rritur, faturat ua kanë rritur për vite me radhë. Tani që kanë nevojë për paratë e tyre, nuk po kërkojnë lëmoshë, asnjë nga ato dhjetëra mijëra biznese që nuk kanë parë asnjë qindarkë, megjithëse u është premtuar mbështetje, nuk kërkon lëmoshë, kërkon që të mbështetet nga taksat, sepse qeveria prandaj ekziston. Taksat që merr nga qytetarët, t’i përdorë për qytetarët. Sot, taksat që ka marrë nga biznesi i vogël, taksat që ka marrë nga të gjithë qytetarët, përfundojnë kudo, përveçse tek ata që kanë nevojë. Ose më mirë të themi, përfundojnë tek një grusht njerëzish, tek nje grusht oligarkësh me të cilët, kjo qeveri vazhdon të ndajë favore, tendera korruptivë dhe pasuritë e vendit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *