Dalja e parë publike e liderit të opozitës Lulzim Basha për këtë sezon politik u fokusua tek pandemia e koronavirusit dhe masat që duhen marrë për të përballuar një valë të dytë të mundshme të infeksionit.

 

Kryetari i demokratëve akuzoi qeverinë se është dorëzuar përballë pandemisë duke sjellë si shembull vendimin për hapjen e ambienteve të brendshme të bareve e restoranteve, për të cilin ai është pozicionuar kundër.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

 

“Ju thotë bareve dhe restoranteve hapuni në 1 tetor kur gjithë europa po shkon drejt kufizimit, sepse në vend që të marrë masa që këto biznese dhe çdo biznes tjetër i afektuar nga pandemia të ketë mbështetjen e nevojshme, ju thotë ku rafshi mos u vrafshi. Pra është një qasje e papërgjegjshme, është një lëshim i situatës pa duar. Ose siç do të thonin një grup ekspertësh të huaj që erdhën për të parë situatën në gusht, problemi me Shqipërinë në të gjitha aspektet, shëndetësi, menaxhimit të ekonomisë nuk është se ka keqmenaxhim, por s ka fare menaxhim. Pjesë e kësaj është larja e duarve dhe masat të cilat propozohen pa asnjë konsideratë dhe pa asnjë marrje masash anticovid siç është kjo e hapjes së bareve e restoranteve. Sigurisht që do të ishte e mundur pot ë ishin ndjekur propozimet tona që në fillim, ndërsa sot bëhet si një dorëzim de facto I qeverisë para situatës.”

 

 

Ndërsa ka akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri, Basha ka prezantuar një plan me 5 pika i cili sipas opozitës duhet zbatuar për të përballuar situatën në 6 muajt e ardhshëm. Pika e parë ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë, dhe Pd kërkon rritjen e testimeve deri ne 2500 në ditë dhe rimbursimin e shpenzimeve për ilaçe për çdo qytetar që preket nga koronavirusi.

 

Pika e dytë ka të bëjë me arsimin dhe Basha propozon që të përmirësohen kushtet në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore. Propozimi i tretë është që të ndihmohen të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës apo edhe  pensionistët

 

“Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përveç pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh. Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike. Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.”

 

Pika e 4 e planit opozitar ka te beje me 93 mije biznese te vogla dhe Basha propozon që ato të marrin nga qeveria një çek prej 1 mijë eurosh

 

“Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.”

 

Pika e fundit garanton mbështetje për biznesin e madh dhe parashikon subvencionimin e qerasë, heqje të taksës së pronës, rikonceptim të garancisë sovrane.

 

Sipas përllogaritjeve të opozitës kjo paketë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 312 milionë euro të cilat sipas Bashës mund të gjenden lehtësisht.

 

“I kanë dhënë mafias së inçeneratorëve 1 milionë euro. 1 milionë euro vetëm inçeneratorit të Tiranës, vetëm me një ditë. Në total, bëhet fjalë për miliona euro në ditë, qindra miliona euro në muaj apo në tremujor që shpenzohen për kontratat e zakonshme korruptive. Të anulohet Milot-Fieri, të anulohet projekti për ta ndërtuar me 5-fish koston rrugën Korçë –Leskovik, të anulohen dhjetëra shpenzime të marra në kohë pandemie, që ka një dhe vetëm një qëllim, të mbushin xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe të gjitha këto para dalin dhe mjaftojnë për paketën që ne propozojmë që, siç ju thashë, kushton 52 milionë euro në muaj, për të gjithë zërat.”

 

Ekonomia pritet të dominojë fushatën elektorale të Pd dhe brenda pak ditëve lideri i opozitës Lulzim Basha do të shpallë edhe programin ekonomik me të cilin do të kërkojë votën e shqiptarëve .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *