Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot në Tiranë me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano.

 

Në një deklaratë për mediat nga zyra e shtypit e PD-së bëhet e ditur se Basha falenderoi Ministrin Alfano për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Italia ka dhënë dhe jep në proceset integruese në Shqipëri.

 

Po ashtu bëhet e ditur se diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend, dhe tek kërkesat e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Kryetari i PD-së Basha i tha Ministrit të Jashtëm Italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve europiane. “Integrimi europian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri Europiane”, pohoi Basha.

 

Kryetari i PD-së Basha sqaroi se këto standarde europiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që clirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i i refromës në drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus.

 

Basha e falenderoi Ministrin Alfano për kontributin e pacmueshem të Italisë mike në rrugëtimin 27 vjecar të Shqipërisë së hapur dhe demokratike dhe shprehu bindjen në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *