Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që sipas janë pjesë e politikës, të largohen nga ndërtesa e Albcontrolit në Rinas.

Në një deklaratë për mediat, Balluku, nga ana tjetër, ftoi të gjithë ata kontrollorë që janë të pastër politikisht, të kthehen në detyrë dhe të vazhdojnë normalisht punën.

Nëse ata nuk zgjedhin t’i kthehen punës, ministrja paralajmëroi se ushtria do të marrë situatën nën kontroll.

“Ndërtesa s’mund të qëndrojë në duart e atyre që s’krijojnë siguri. Jeni të lutur të gjithë ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës që të vazhdojnë punën dhe të rikthehen në detyrë, ashtu siç e keni bërë vazhdimisht. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë dhe nuk operojnë, por qëndrojnë në karrigë, ju them se keni braktisur detyrën në sytë e të gjithë shqiptarëve. E kthyet institucionin më të rëndësishëm në një dyqan lagjeje. Ndërtesa do merret në ruajtje nga forcat e armatosura.”

Më herët, kryeministri Edi Rama akuzoi Sali Berishën dhe Ilir Metën se kanë nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pas pezullimit të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *