Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç patën këtë të martë takimin e parë në Bruksel, për të diskutuar për agjendën e dialogut.

 

Pas takimit, Kurti zbuloi në “Facebook” katër propozimet e tij, për të cilat nuk ka gjetur mirëkuptimin e Vuçiç.

 

“Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:

  1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
  2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
  3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional, siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
  4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.”

 

 

 

Kryeministri i Kosovës kërkon nga Vuçiç që të ulet dhe t’i mendojë seriozisht propozimet e tij.

 

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.”

 

Pas takimit, presidenti i Serbisë, Vuçic tha se nuk ka rënë dakord me Kurtin “absolutisht për asgjë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *