Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas vendimit të gjyqtarit Lazer Sallaku për të pushuar hetimet për dosjen e “CEZ”. Në “Facebook”, Balla e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe paralajmëroi ankimim në SPAK.

 

“Siç kishim paralajmëruar, i njëjti gjyqtar “KÇK” i cili në mënyrë skandaloze rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën “675 mijë dollarë”, sot mori një vendim haptazi në kundërshtim me ligjjn në lidhje me dosjen “CEZ-418 milionë Euro”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky vendim i paligjshëm do të ankimohet menjëherë dhe paralelisht gjetjet e Komisionit Hetimor do t’i dërgohen javën e ardhshme Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).”

 

Sipas numrit dy të PS, në kallëzimin që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë ka prova të mjaftueshme që të tregojnë se Sali Berisha ka konsumuar vepra penale dhe duhet të mbajë përgjegjësi.

 

“Në kallzimin e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë ishin paraqitur fakte dhe prova të pakundërshtueshme se Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit në vitet 2005-2013 bashkë me persona të tjerë të kallzuar prej nesh, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal.”

 

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Lazer Sallaku vendosi këtë të premte të pushojë hetimet për procedurën e privatizimit të OSSH nga çekët e CEZ në 2007, e cila shkaktoi një dëm prej 414 milionë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *