Avokati i Ylli Ndroqit ju drejtua shkallës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për të vënë nën sekuestro pasuritë e klientit të tij.

Për mediat, avokati tha se nga sistemi TIMS mund të verifikohet shumë lehtë që Ylli Ndroqi nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar në Itali.

“Sekuestroja është vendosur duke përmendur një shkresë të Interpolit që z.Ndroqi ka qenë i arrestuar në vitin 2015 në Itali. Është lehtësisht e verifikueshme si nga sistemi TIMS, si nga vendimi që është bërë publik dje, që Z. Ndroqi nuk ka qenë kurrë i arrestuar në shtetin italian. Ka lëvizur lirshëm në zonën Schengen dhe në Amerikë. Është vënë si indicie, pasi ligji nuk ka efekte prapavepruese pasi është votuar dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2010.”

Avokati pretendoi më tej se SPAK ka dhënë urdhër për sekuestro edhe për prona që nuk janë të Ndroqit.

“Kemi konstatuar absurditeti në raport procedurat, pasi është vënë sekuestro për prona që z. Ndroqi nuk i ka në posedim. Njërën nga tokat nuk e zotëron z. Ndroqi, por është varrezë fshati. Ndërsa për pronat e tjera janë të vënë nga aktiviteti tregtar i recensuar në mënyrë të ligjshme qysh nga viti 1993. Ka kaluar disa kontrollet nga tatimet dhe pastrimi i parave duke rezultuar OK. Po ashtu është kredituar edhe nga bankat.”

Ai deklaroi se pronat e Ylli Ndroqit janë të ligjshme dhe kërkon nga Apeli që të gjejë të drejtën.  

“Pasuritë e z. Ndroqi janë të vëna me burime të ligjshme dhe shpresojmë që provat do të merren nga gjykata e Apelit, pasi sekuestroja është bërë në kundërshtim me ligjin anti-mafia, ku përcaktohet kur vihet sekuestroja.”

Disa ditë më parë, SPAK urdhëroi sekuestrimin e 26 pasurive të pronarit të “Yldon Media Group”. Po ashtu, u zbulua se emri i tij është Xhemail Pasmaçiu dhe se është arrestuar një herë në Turqi dhe një herë në Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *