Të konsideruarit si një nga talentët më të spikatur në futbollin gjerman nuk i ka mjaftuar Donis Avdijajt, për të bindur Gianni De Biazin që ta bëjë pjesë të lojtarëve të grumbulluarve, për Kombëtaren shqiptare. Vetë 20-vjeçari, tashmë ka marrë vendimin përfundimtar se me kë përfaqësuese do të luajë në të ardhmen dhe ajo është Kosova. Megjithatë nuk ka kapërdirë dot faktin që Shqipëria nuk e përfilli fare, edhe pse ai donte me çdo kusht të vishte fanelën kuqezi. Futbollisti, i cili është në pronësi të Shalkes, ka shpjeguar në një letër të hapur, se për hir të dëshirës që kishte për të luajtur për përfaqësuesen shqiptare, prishi edhe marrëdhëniet me gjermanët. “Kombëtarja gjermane e të rinjve më kishte renditur në listën e më të mirëve, pasi luajta plot 25 ndeshje, por në fund vendosa të mos luaja më aty, për hir të Kombëtares shqiptare. Përderisa doja me çdo kusht të luaja për Shqipërinë time. Por merreni me mend, kur në vitin 2014 u bëra lojtar profesionist dhe kur ekipe të njohura me emër boteror më dërgonin ftesa e oferta ndër më të ndryshmet, Shqipëria ime, edhe përkundër interesimit tim që të luaj për këtë Kombëtare, heshti e nuk me përfilli fare”, kanë qenë në mënyrë të përmbledhur fjalët me të cilat Avdijaj ka shpjeguar zgjedhjen e tij për të luajtur me përfaqësuesen kosovare të futbollit, duke nisur nga ndeshja e marsit të vitit 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published.