Zgjatja e masave kufizuese në Australi ka shkaktuar zemërim midis qytetarëve, ku mbi 13 milion, rreth gjysma e popullsisë, vuajnë bllokimet e reja të pandemisë Covid-19. Edhe Australia e Jugut, iu nënshtrua një bllokimi të ri të martën, duke iu bashkuar kështu Victorias dhe Uellsit të Ri.

 

Kurse dy qytetet më të mëdha të Australisë, Sidnei dhe Melburni, janë midis vendeve që përballen me pasigurinë e ditës së rihapjes. Te banorët e këtyre qytetarëve ekziston frika e shtyrjes së masave të ashpra deri në shtator.

 

Australia ka ritmin e vaksinimit më të ulët midis shteteve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, me gati 14% të popullsisë të vaksinuar.

 

Kryeministri Scott Morrison shpesh është kritikuar për këtë ritëm të ulët të vaksinimit, ndërkohë që skepticizmi i australianëve rreth vaksinave vijon të rritet, pas lidhjes së mpiksjes së gjakut me vaksinën AstraZeneca. Kjo ka bërë që banorët e vendit ti drejtohen dozave të Pfizer.

 

Shumë australianë kanë shprehur zhgënjimin për bllokimin e tejzgjatur, 18 muaj  që nga fillimi i pandemisë. Ky zhgënjim i tyre merr shkas edhe nga rihapja e Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesërisht e SHBA-ve, ndërkohë që vendi i tyre vijon të zbatojë masat izoluese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *