Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristian Mickoski në SHBA i cili vuri në dyshim marrëveshjen mes dy vendeve.
“Çështja e emrit të Maqedonisë së Veriut është zgjidhur përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme. Kjo ngjarje përbën një sfidë për Greqinë, pasi tenton të rikthejë në plan të parë një çështje të zgjidhur, siç dihet, përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme”, tha ministria e Jashmte e Greqisë në një deklaratë.
Athina zyrtare kërkoi edhe njëherë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa e kërcënoi Shkupin me bllokim të integrimit në BE.
“Greqia rikujton se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i qetë i rrugës evropiane të fqinjit të saj kërkon respekt të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe, natyrisht, abstenim nga deklaratat dhe pretendimet e papajtueshme ndaj vendeve fqinje”, shtoi ministria në deklaratë.
Ky reagim erdhi një ditë pasi kryeministrit Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, foli në një takim me emigrantët e vendit të tij që jetojnë në SHBA për këtë çështje duke e cilësuar atë si të pazgjidhur ende./vizionplus.tv