Kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit, personalitete të larta të politikës greke, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, Ministri i Punëve të Jashtme Nikos Dendias, si dhe artistë dhe politikanë të tjerë.

Në ceremoninë e mikpritjes, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias u shpreh se përzgjedhja e Zappeion Megaron, e cila është pjesë e trashëgimisë kombëtare të qytetërimit grek, për të çelur këtë ekspozitë, mbart një simbolikë shumë të fortë dhe e qartë.

“Ky është pikërisht vendi ku në vitin 1979 u nënshkrua Traktati i Anëtarësimit në atë që ishte Komuniteti Ekonomik Europian asokohe. Isha një student shumë i ri i Universitetit të Athinës, që ndodhet diku atje, përtej kolonave, që shihja Georgios Ralis dhe Konstantinos Karamanlis që hidhnin firmën pikërisht këtu. Kështu, ky është pasqyrim i mënyrës si e shohim Shqipërinë, një fqinjë, një mike të afërt dhe, më lejoni ta them, shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane.” – u shpreh Dendias.

 

Vetë kryeministri tha se ndjehet i mahnitur nga mënyra sesi është pritur celja e kësaj ekspozite në vendin fqinjë.

 

Dua të them, para së gjithash, se jam shumë mirënjohës për këtë pritje të mahnitshme dhe për këtë ngjarje kaq të veçantë. Nuk është ekspozita ime e parë artistike, por është e para herë që vizitoj një vend si Kryeministër dhe në çantë nuk mbaj vetëm shënimet, por edhe artin tim. I jam thellësisht mirënjohës edhe Nikos, i cili pati rol kyç për ta bërë të mundur realizimin e gjithë kësaj, pasi vizitoi zyrën time dhe i lindi dëshira ta sillte këtu. Kështu, Niko më solli edhe mua bashkë me zyrën, sepse ajo që do të shihni sot është një variacion i asaj çfarë e përbën zyrën time: vizatimet mbi tryezë, skulpturat e mia, disa prej të cilave varen në zyrë dhe letra e murit që është kompozuar me vizatimet e mia.
Dua po ashtu të falënderoj Katerinën, e cila është treguar shumë e duruar, sepse është një kuratore tejet profesioniste dhe nuk ka punuar kurrë më parë me një Kryeministër. Meqë ra fjala, unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë. Katerina është mësuar të jetë ajo kryeministre sa herë merret me subjektet e saj, kështu që kjo ishte një përvojë ndryshe, sepse i duhej koha ime, unë kohë nuk kisha; i duhej vëmendja ime, po mendjen e kisha tjetërkund, pikërisht siç ndodh kur vizatoj, sepse kur vizatoj në zyrën time, vëmendja nuk është tek ajo çfarë bëj me duar, por i lë sytë të lëvizin bashkë me duart, ndërsa mendja është plotësisht e përqendruar te çështja që diskutohet me bashkëpunëtorët e mi ose te bashkëbisedimet telefonike ose teksa peshoj vendimet që duhen marrë kur jam vetëm.
E përjetoj vërtet me shumë përulësi që pritem në këtë pallat të mrekullueshëm që ka një histori të jashtëzakonshme dhe më lini të ndaj me ju diçka shumë personale. Dje, kur isha në makinë duke shkuar drejt Vuliamenit, m’u kujtua një taksi që kisha marrë një vajtje-ardhje për në Vuliameni dhe më pas në Sandro të Athinës, ato ditë të hershme të lirisë sonë, kur vendi i parë që vizitova si njeri i lirë, jo si sportist që përfaqësonte një vend që nuk ishte i lirë, por një vend si njeri i lirë, ishte Greqia dhe Korfuzi. Nga Korfuzi, ku më pritën disa kushërinj të nënës sime, fluturova për në Athinë, ku më pritën disa kushërinj të tim ati. Jeta është e pabesueshme. Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të pritesha në këtë pallat, se do të vija me një makinë me autokolonë dhe se mikpritësi do të ishte një ministër i Jashtëm. Ç’të them?! Jam vërtet falënderues dhe mirënjohës.
Ajo çfarë do të shihni sonte, shpresoj të flasë vetë. Nuk dua të flas shumë për të. Nuk mendoj se arti ka nevojë për artistin ta përkthejë. Arti fletë vetë. Siç ka thënë edhe Edgar Degas, arti nuk është t’u tregosh njerëzve atë që sheh, por është t’u tregosh atë që nuk shohin, kështu që, çdokush është i lirë të shohë çfarëdo që dëshiron. Arti im është abstrakt, me disa kujtime aty-këtu dhe është mjaft demokratik, në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjith’ çfarë dëshiron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *