Këtë të dielë doli para gjykatës Gëzim Haroku, i arrestuari për arsenalin e armëve në Yrshek.

Prokuroria ka ngritur akuzën për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje lidhur me ngjarjen e ndodhur te kompleksi Eiffel.

Në fund të seancës, u pranua kërkesa e prokurorisë, që kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Harokun. Ai ka pretenduar se armët i ka gjetur në një tunel në Kashar.

Armët janë dërguar në laboratorin shkencor për të parë nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Arsenali i armëve të rënda u sekuestrua nga Policia e Tiranës në zonën e Katundit të Ri në Yrshek në 19 qershor.

Sipas burimeve dyshohet se kjo banesë ishte bazë e grupeve kriminale dhe  përdorej edhe nga vrasësit me pagesë.

Në pranga gjatë operacionit ra pronari i banesës Gëzim Haroku, njëkohësisht i identifikuar si autori i breshërisë së plumbave ndaj komplesit “Eiffel” në pronësi të Enver Çaushit, ndodhur pak ditë më parë.

Ndërkohë po punohet për arrestimin e Erigers Mihasit, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i Harokut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *