Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjurmët Digjitale”, në kuadër të përpjekjeve intensive për parandalimin dhe goditjen e abuzimeve seksuale ndaj të miturve në hapësirën digjitale.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, është bërë e mundur identifikimi dhe ndalimi i shtetasit I. M., 24 vjeç, banues në Lushnjë, i cili dyshohet për veprën penale “Pornografi me të mitur”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u sekuestruan pajisje elektronike ku u gjetën materiale me përmbajtje pornografike, në të cilat përfshiheshin të mitur. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Thirrje publike nga Policia e Shtetit:
Ndalohet kategorikisht ruajtja, shpërndarja apo qarkullimi i materialeve pornografike me të mitur.
Kjo është një vepër penale e rëndë, e cila dënohet deri në 10 vite burg. Edhe ruajtja pa qëllim fitimi përbën krim.
Çdo veprim online lë gjurmë. Çdo shkelës do të përballet me drejtësinë.
/vizionplus.tv




