Pas arrestimeve të ndodhura tek “Unaza e Re”, Partia Demokratike ka paditur Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, Shefin e Komisariatit të Policisë së Shtetit nr. 6, Punonjësit e Policisë së Shtetit.
Sipas demokratëve uniformat blu kanë dhunuar protestuesit dhe kërkojnë nga Prokuroria që të nisë hetimin ndaj këtyre zyrtarëve të Policisë së Shtetit.
Ndër të tjera në padi e depozituar nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi në Prokurori kërkohet edhe pezullimi i ushtrimit të detyrës publike të përfaqësuesve të lartpërmendur të policisë.
“Banorët e Unazës së Re kanë zhvilluar protestën e tyre paqësore dhe pa asnjë akt dhune. Në përfundim të protestës, një numër i konsiderueshëm punonjësish policia, disa prej tyre të paidentifikuar dhe të veshur civil, kanë filluar një aksion të paligjshëm policor, duke shoqëruar dhe më pas arrestuar me dhjetra qytetarë.Disa prej qytetarëve që i është hequr liria, rezulton se kanë qenë thjeshtë kalimtar në zonën ku ishte zhvilluar protesta. Disa të tjerë kanë qenë pjesëmarrë në atë proteste. Qytetarët pa asnjë shkak janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit nr. 6 Tiranë dhe në Drejtorinë e Qarkut Tiranë. E drejta kushtetuese për të tubuar, në një shtet demokratik, merr një rëndësi të veçantë. E drejta për t’u tubuar lirisht dhe pa ndonjë leje të veçantë me të tjerë, ka qenë gjithnjë e vlefshme si shenjë e lirisë, pavarësisë dhe fjalës së lirë të qytetarit të përgjegjshëm. Garantimi i lirisë për aktivitetet politike në të njëjtën kohë edhe një vendim, i cili shtrihet përtej mbrojtjes së shpalosjes së personalitetit nga ndërhyrjet shtetërore. Kushtetuta garanton si të drejtë mbrojtëse, për mbartësit e së drejtës, e cila u shërben mbi të gjitha pakicave që mendojnë ndryshe të drejtën për të vendosur vetë për vendin, orën, llojin dhe tematikën e tubimit dhe, në të njëjtën kohë, ndalon forcën e shtetit për të marrë pjesë apo për t’i ndenjur larg një tubimi”.