Drejtori i Policisë Durrës Lorenc Shehu, Prokurorja Anita Jella dhe Drejtori për Krimet Ekonomike Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi dolën në një konferencë për shtyp për të dhënë informacion të saktë mbi urdhër arrestet e nxjerra në lidhje me personat përgjegjës që kanë abuzuar më ndërtesat që u shemben në 26 nëntor në Durrës dhe Thumanë.

Vec përfshirjes massive të rreth 4 mijë policeve në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ruajtjes së banesave të braktisura nga tërmeti, u punua edhe për dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara dhe të dëmtuara nga tërmeti”, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Policia e Durrësit tha se pas një pune dyjavore, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave    të tjerë.

 

Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

 

Për këto arsye, mbështetur në provat e administruara në këtë procedim penal  është bërë    ndalimi i këtyre shtetasve:

 

1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 

2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 

3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 

4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja     me     dashje”.

 

5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 

6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

 

7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera      cilësuese”.

 

8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës  penale         “Shpërdorimi i detyrës.

 

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

 

Grupi i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe nxjerrjen e  përgjegjësive për personat përgjegjës, për çdo rast që është evidentuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor.

 

Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye  hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *