Princi i Kurorës në Arabinë Saudite vazhdon retorikën e ashpër ndaj Iranit. Në mesin e tensioneve mes dy vendeve, Mohammed Bin Salman, gjatë një interviste për “New York Times” e quajti liderin suprem të Iranit, si “Hitlerin e ri” të Lindjes së Mesme.

 

Duke e përshkallëzuar edhe më tej luftën verbale, princi i kurorës, iu referua liderit suprem Iranian, Ayatollah Ali Khameneit, duke theksuar se Irani nuk duhet të lejohet të përhapë influencën e tij.

 

“Ne mësuam nga Europa se pajtimi nuk funksionon. Ne nuk duam që Hitleri i ri në Iran të përsërisë atë që ndodhi në Evropë, në Lindjen e Mesme”.

 

Tensionet mes dy vendeve u rritën gjatë këtij muaji, kur kryeministri i Libanit Saad Hariri, dha dorëheqjen në një transmetim televiziv nga Rijadi, duke cituar ndikimin e Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe rrezikun për jetën e tij.

 

Grupimi Hezbollah e quajti këtë veprim një akt lufte të projektuar nga autoritetet saudite, një akuzë që ata mohuan.

 

Arabia Saudite dhe Irani akuzojnë njëra-tjetrën për përpjekjen për të destabilizuar Libanin. Një muaj më pare, Arabia Saudite akuzoi Iranin edhe për një sulm me raketa që synonte kryeqytetin saudit, Rijad, nga rebelët në Jemenin fqinj, por Irani e mohoi një gjë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *