Një grup vendesh arabe që muajin e shkuar më një vendim të papritur ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilin e akuzojnë si mbështetës të terrorizmit, kanë paraqitur një listë prej 13 kërkesash ndaj tij.

 

Në këmbim të zbatimit të tyre do të heqin sanksionet e vendosura ndaj shtetit të Gjirit Persik. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni kërkojnë mbylljen e rrjetit televiziv të financuar nga Katari, Al Jazeera, reduktimin e raporteve me Iranin dhe mbylljen e një baze ushtarake turke brenda një afati 10-ditor. Me përfundimin e afatit, kërkesat nuk janë më të vlefshme.

 

Pjesë e listës janë edhe fundi i lidhjeve me organizatat terroriste, dorëzimi i personave të kërkuar për terrorizëm dhe ndalimi i ndërhyrjes në punët e brendshme të 4 vendeve.

 

Ndërsa nga Doha nuk ka një përgjigje për kërkesat, Turqia ka reaguar, duke theksuar se nuk ka ndërmend të mbyllë bazën ushtarake, pasi prej saj përfiton i gjithë rajoni i Gjirit Persik. Ankaraja po furnizon me ushqime dhe mallra Katarin që nga vendosja e sanksioneve tregtare. Ky ultimatum mund të shënojë thellimin e krizës së konsideruar si më e renda në disa dekada në rajonin e Gjirit Persik.

Posted Under:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *