Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të deshifrojë mesazhet pas fjalimit të parë publik të Ayatollah Ali Khameneit pas muajsh, nën hijen e sulmit me raketa ndaj Izraelit.

BBC ka analizuar fjalimin e tij në namazin e xhumasë, duke theksuar se ishte një përpjekje për të treguar se ai nuk ka frikë të dalë në publik dhe të flasë për pozicionin e Iranit në botën myslimane.

Siç vërehet nga mediat ndërkombëtare, lideri suprem i Iranit, Khamenei doli duke mbajtur në krah një pushkë të cilën e tundi disa herë.

Dalja e tij publike në zemër të Teheranit ishte një përpjekje për të mohuar thashethemet se ai ka frikë të shfaqet në publik pas këtyre ngjarjeve, raporton BBC.

“Politikat e miratuara nga armiku ynë duan të sjellin përçarje mes muslimanëve. I njëjti armik është për palestinezët, libanezët, egjiptianët dhe irakianët. I njëjti armik është për popullin e Jemenit dhe Sirisë”, tha Khamenei para turmës së madhe që ishte mbledhur në xhaminë ku ai mbajti predikimin e tij. Siç tha ai “armiku punon kudo me një metodë të caktuar. Nëse përfundon në një vend, do të kalojë në tjetrin”.

Fjalimi synonte gjithashtu unitetin, pasi presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Massoud Pezheskian, dhe figura të tjera të larta në regjimin iranian ishin të pranishëm.

Pezheskian kohët e fundit ka qenë në qendër të kritikave pas deklaratës së tij se armiqësitë midis Iranit dhe Izraelit mund të përfundonin në një moment në të ardhmen.

Në fjalimin e tij, Khamenei hodhi poshtë çdo sugjerim se mbështetja e Iranit për aleatët e tij në rajon, Hezbollahun dhe Hamasin, të cilët përbëjnë të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, do të ndikohej nga operacionet e fundit ushtarake të Izraelit. Pavarësisht humbjeve të liderëve të këtyre organizatave, Khamenei theksoi se Irani do të vazhdojë të mbështesë rezistencën përmes aleatëve të tij indirekt.

Khamenei mbrojti gjithashtu sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, diçka që pak liderë të tjerë të vendeve myslimane në rajon guxuan ta bënin.

Ai e quajti një akt legjitim sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, ndërsa mbështeti edhe sulmin e Iranit ndaj Izraelit të martën.

Ai e quajti sulmin e Iranit ndaj Izraelit “dënim minimal” për “krimet e tij ekstreme”.

Sa i përket qeverisë së Tel Avivit, ai e përshkroi atë si një “vampir” dhe qeverinë e Uashingtonit si një “qen të tërbuar”.

Ai përsëriti se Irani do të vazhdojë të luftojë kundër Izraelit përmes organizatave që ai mbështet, pavarësisht vrasjeve të liderëve të tyre nga forcat izraelite.

Ky fjalim vjen në një moment kritik, teksa komuniteti ndërkombëtar po monitoron zhvillimet dhe frika për përshkallëzimin e tensioneve në rajon rritet./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *