Subscribe

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët se nuk do të kenë asnjë mundësi që të pastrojnë para. Duke folur për aministinë fiskale gjatë një takimi për rindërtimin në Shijak, Rama tha se kjo nismë do të shërbejë për të rritur kapacitetin ekonomik.

 

“Mos të kenë frikë të sjellin në Shqipëri lekë, duke përjashtuar kategorikisht paratë që vijnë nga krimi dhe politikanët bashkë me familjet e tyre, gjykatësit bashkë me familjet e tyre, prokurorët, policët e të gjithë zyrtarët e lartë me familjet e tyre, të cilët nuk do ta kenë shansin për të pastruar para që vijnë nga korrupsioni. Të gjithë të tjerët do të ftohen të fusin para nëpër banka dhe do kenë garanci të plotë. Kjo do bëjë që do të rritet shumë kapaciteti ekonomik i gjithë individëve që kanë kursime dhe që duhet t’i përdorin vetëm me cash, do rritet shumë aftësia e shumë familjeve, që të mund të bashkëpunojnë me bankat.”

 

Rama sqaroi se për paratë në banka do të ketë një komision shumë të ulët që do të “thithet” nga qeveria për t’u përkthyer në investime.

 

“Shteti duhet t’i japë mundësi amnistie atyre që i kanë paratë nga puna. Kjo do të jetë një shtysë e fortë për familjet dhe një mundësi e madhe për emigrantët, por edhe një kontribut i madh për Shqipërinë. Këto para do të futen në bankë me një komision shumë të ulët, që do të shërbejë për ekonominë e përgjithshme, pasi me ato të ardhura ne do të bëjmë investime. Këto investime do t’i japin një pamje të re ekonomisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *