Ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, një ndër personat kryesorë të përfshirë në përpjekjen, për të cilën akuzohet Presidenti Trump, do të japë dëshminë e tij, për t’i ushtruar presion Ukrainës me qëllim përfitimin e të dhënave inkriminuese për rivalët e tij politikë.

 

Në këtë proces hetimor të udhëhequr nga demokratët, zoti Sondland do të jetë dëshmitari i parë publik që ka patur një linjë direkte komunikimi me Presidentin.

 

Nga dëshmitë e personave të tjerë mësohet se zoti Sondland foli me Presidentin Trump disa herë gjatë periudhës korrik-shtator në lidhje me telefonatën e 25 korrikut me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkoi Presidentit Zelenskiy të hetonte Biden-at.

 

Zoti Sondland pritet të përballet me pyetje të vështira nga ligjvënësit, pasi ai korrigjoi deponimin e tij fillestar gjatë seancës me dyer të mbyllura. Tashmë ai pranon se pati një lidhje mes pezullimit të asistencës për Ukrainën dhe hetimeve që dëshironte Presidenti Trump.

 

Në muajin tetor, ai pati dëshmuar se nuk kishte dijeni për parakushte të vendosura ndaj asistencës. Por, më 4 nëntor, ai u dërgoi ligjvënësve një pasthënie ku shprehet se deklaratat e dëshmitarëve të tjerë kanë kthjelluar kujtesën e tij për disa biseda të zhvilluara në fillim të shtatorit.

 

Në dëshminë e tij të korrigjuar, zoti Sondland shprehet se tashmë i kujtohet t’i ketë thënë një ndihmësi të Presidentit ukrainas se nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të japin asistencën e shumëpritur ushtarake, derisa Ukraina të bjerë dakort të hetojë kompaninë “Burisma”.

 

Hetimet janë të përqëndruara tek pyetja nëse Presidenti Trump abuzoi me pushtetin kur e kushtëzoi asistencën e sigurisë për Ukrainën me rënien dakort nga Kievi për të hetuar kompaninë energjitike “Burisma”, dhe lidhjet e saj me djalin e ish-Nënpresidentit dhe rivalit politik Joe Biden.

 

Pasditen e të mërkurës japin dëshminë e tyre publike Zv.Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe NënSekretari i Shtetit David Hale./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *