Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar edhe njëherë mbështetejen e tyre për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

 

Në një deklaratë për shtyp, ambasada e SHBA në Prishtinë deklaroi këtë të enjte se votimi në Kuvend është hapi I parë I zhvillimit të së drejtës sovrane të Kosovës.

 

“Shtetet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (KSF) në një forcë me një mandat të mbrojtjes territoriale, siç është e drejta sovrane e Kosovës. Votimi në Kuvend sot është hapi i parë në zhvillimin e kësaj aftësie. Këto ligje nuk sjellin ndryshime të menjëhershme në strukturën, misionin ose operacionet e forcës, por ato përfaqësojnë fillimin e punës praktike dhe të vazhdueshme të ndërtimit të një forcë transparente multietnike dhe të ndërveprueshme të NATO-s që u shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në përputhje me planin 10-vjeçar të tranzicionit të Qeverisë së Kosovës.”

 

Ambasada e SHBA i kërkon Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO.

 

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe të angazhohet në kontakt me komunitetet e pakicave tani dhe gjatë gjithë procesit të gjatë përpara. Ne presim që marrëveshjet ekzistuese me KFOR-in lidhur me lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë do të vazhdojnë. Të gjithë aktorët brenda dhe jashtë Kosovës duhet të mbështesin dhe inkurajojnë qytetarët e komuniteteve pakicë të Kosovës që të marrin pjesë në forcat e tyre të sigurisë, në dobi të komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me FSK-në për të promovuar zhvillimin e tyre profesional dhe evoluimin organizativ, i cili do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.”

 

Duke u ndalur tek marrëdhëniet me Serbinë, ambasada e SHBA thekson se duhet të bëhen përpjekje për dialog.

 

“Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të sinqerta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Serbinë dhe inkurajojmë të dyja palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në Dialog. Qëllimi: Për të arritur një marrëveshje reciprokisht të dobishme që do të rrisë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu përfaqëson prioritetin më të lartë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të rifokusojnë energjitë e tyre dhe të angazhohen seriozisht dhe në mënyrë konstruktive në arritjen e këtij qëllimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *