Fire Phone nuk arriti të bëhej hit në treg, por kjo nuk e dekurajoi Amazonin, pasi gjiganti amerikan i tregtisë po përgatitet për aventurën e re – Ice Phone.

 

Shitja e pajisjes “së zjarrtë” ishte aq e dobët sa që kompania ndërpreu prodhimin e tij, por tash drejtuesit e saj besojnë se Ice mund të tejkalojë numrin prej 35.000 njësive të shitura të Fire.

 

Telefoni i ri do të punojë në sistemin Android dhe pritet të kushtojë më pak se 100 dollarë. Pajisja e re e Amazon ka ekran me diagonale ndërmjet 5,2 deri 5,5 inç, ndërsa ai do të punojë me procesor Qualcomm Snapdragon 435. Ai do të ketë 16 GB hapësirë për ruajtjen e të dhënave dhe Android 7.1.1 Nougat.

 

Ka shanse që Ice nuk do ta mbështesë Alexa, asistentin e zërit në Amazon dhe në vend të saj do të vijë me shumë aplikacione dhe shërbimin e Google, përfshirë Play Store dhe Assistant, asistentin digjital, i cili reagon ndaj komandave me zë në Google Home dhe Android, shkruan Sovrani.

 

Kjo qasje është kontradiktore në krahasim me strategjinë e zhvillimit të Amazonit.

 

Personi që ka pohuar se “ka parë dhe ka përdorur” Ice, tha për Gadgets 360 se softueri nuk është ende i përkryer dhe ndoshta në fund mund ta përkrahë Alexa.

 

Telefoni fillimisht do të dalë në Indi, vend në të cilin Amazon nuk shet mikrofonat Echo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *