Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme Altin Dumani, realizoi një vizitë zyrtare tre ditore në Britaninë e Madhe, ku pati takime shumë të frytshme me Stuart Skeates, Drejtor i  Përgjithshëm i Operacioneve Strategjike në Ministrinë e Brendshme (Home Office), Greame Biggar, Drejtor i Përgjithshëm i  Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA),  zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Kurorës Mbretërore, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtuesve të Policisë Britanike, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit (Metropolitan Police), dhe forcës policore të qytetit të Londrës (City of London Police).

Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkëmbimin e të dhënave, organizimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, hetimin financiar dhe forcimin e kapaciteteve analitike të SPAK. Palët ranë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin e tyre në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta me qëllim goditjen e krimit të organizuar ndërkombëtar.

Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme, vlerësoi maksimalisht rëndësinë e këtyre takimeve të cilat do të ndihmojnë në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së SPAK dhe do të përmirësojnë aftësitë hetimore dhe analitike të kësaj strukture. Dumani u shpreh se “bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është një element kyç në strategjinë e SPAK për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri dhe rajon”.

Zyrtarët e lartë britanike vlerësuan me nota mjaft pozitive veprimtarinë e deritashme të SPAK dhe theksuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur këtë institucion në përmbushjen e misionit të tij ligjor në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Dumani, u ftua gjithashtu edhe nga  Instituti Mbretëror për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë (RUSI) në një tryezë të përbashkët të organizuar në bashkëpunim me Dr. Andi Hoxhaj OBE,  profesor në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL). Zoti Dumani bëri një prezantim të aktivitetit të SPAK në prani të përfaqësuesve të Ministrisë se Jashtme (Foreign, Commonwealth & Development Office), agjencive ligjzbatuese britanike, shoqërisë civile dhe botës akademike me pjesëmarrës nga disa prej universiteteve më të njohura britanike.

Prezantimi u fokusua në punën dhe vështirësitë e SPAK dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dr. Zhilla, Këshilltari Ligjor pranë kabinetit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prezantoi disa nga sfidat që lidhen me hetimin e grupeve kriminale shqiptare dhe rëndësinë e një qasjeje të përbashkët në hetimin e  krimit të organizuar shqiptar, i cili tashmë ka shtrirë aktivitetin e tij kriminal dhe bashkëpunimin në tregjet kryesore kriminale në botë.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në përforcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Arritjet kryesore të kësaj vizite përfshijnë forcimin e lidhjeve dhe një strategji me konkrete në fushën e bashkëpunimit midis palëve të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm efektivitetin e hetimeve dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, vizita kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit tek institucione te ndryshme britanike rreth rolit dhe rëndësisë së luftës së SPAK kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë këtu jo vetëm agjencitë ligjzbatuese por edhe përfaqësues te shoqërisë civile dhe botës akademike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *