Lufta që kishte me Talo Çelën dhe vrasja makabre e vëllait të tij, Bujar Çela, ishte pjesë e dëshmisë që i penduari drejtësisë Erion Alibej rrëfeu këtë të martë përpara gjykatës. Alibej nuk kurseu akuzat dhe ironitë për armikun e tij të përbetuar Talo Çela.
Alibej: Flija dhe zgjohesha vetëm për Talo Çelën, sepse ai ishte kryesori. Ishte nga ata “trima” që rrinin vetëm në Dubai dhe nuk vinin në Shqipëri. Këta i hodhën poshtë si qen njerëzit e vet.
Për shkak të vështirësive për të gjetur dhe për të vrarë Talo Çelën, Alibej tregoi se ishte më e lehtë për të ekzekutuar vëllanë e tij Bujar Çelën, ngjarje e ndodhur më 17 tetor 2020.
Alibej: Bujar Çela ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. U angazhuan çunat e Fushë-Krujës, Besian Xhixha dhe Enver Diva. Ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi. Kanë pritur fillimisht te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën. U larguan nga zona dhe më pas u afruan te lokali ku ndodhej Bujari. Pasi e kryen veprimin, më ka shkruar Nuredini në sekondë: “Mbaroi Bujari!”.
Gjatë seancës pati përplasje të ashpra mes Erion Alibejt dhe të pandehurit tjetër Xhulian Hoxha. Debati mes tyre nisi në momentin kur Alibej tha se Hoxha e informonte me aplikacion të koduar nga burgu. Kaq mjaftoi që Hoxha ta krahasonte me një prej të penduar vetë “Cosa Nostra-s” në Itali, Tommaso Buscetta.
Alibej: Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, vendosa që arma e krimit të vendosej te shtëpia e Bujar Çelës. Xhuliani më jepte informacione.
Hoxha: Unë kam qenë në shtëpi. I sigurt që ke folur me mua o Tommaso Buscetta?
Nga ana tjetër Xhuliano Hoxha hodhi poshtë akuzat se ai ka qenë i përfshirë në vrasjen e Bujar Çelës
Hoxha: Tregoje pak si e pyesje Megi Kilën për Emiljano Ramazanin? Pse nuk e përmend Megi Kilën, dashurinë e shekullit? Se për vrasjen e Bujar Çelës unë kam qenë në shtëpi. S’kam lidhje fare me këtë ngjarje. Le të mbarojë ai deklarimet, se kam dhe unë për të folur për të.
Xhulian Hoxha akuzoi prokurorinë e Elbasanit dhe policinë pasi sipas tij vrasja e Bujar Çelës mund të ishte parandaluar, por institucionet e drejtësisë ishin të lidhura me Alibejn./vizionplus.tv