Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkeljed Alibeaj falenderoi të gjithë qytetarët që shprehën vullnetin e tyre në kutitë e votimit këtë të dielë.

 

Në një deklaratë për media pas mbylljes së procesit të votimit, Alibeaj theksoi se sot u vërtetua që PD është e vetmja alternativë e shqiptarëve.

 

“Gjatë gjithë ditës Partia Demokratike ka denoncuar të gjitha problematikat që shoqëruan sot procesin zgjedhor, por nga ana tjetër vlerëson maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cenim të këtij procesi.

Partia Demokratike falenderon gjithë ata që sot iu drejtuan kutive të votimit duke ushtruar demokracinë e drejtpërdrejte të zgjedhjes me votë.

Partia Demokratike, si parti e vlerave euroatlantike, i ka konsideruar dhe i konsideron zgjedhjet si e drejtë e qytetarëve dhe jo partive politike.

Partia Demokratike falendëron kandidatët që ndërmorën sfidën për të përfaqësuar të djathtën e vërtetë, ata djem, vajza burra e gra që u rreshtuan në anën e duhur të historisë duke përfaqësuar logon e PD në garën për këshillat bashkiakë”, tha ai.

 

Ai theksoi se procesi i numërimit të votave do të ketë të njëjtin përkushtim, ndërsa bëri thirrja që asnjë votë të mos tjetërsohet.

 

Alibeaj shprehu siguri se PD do të ndajë njëherë e mirë Shqipërinë nga e kaluara.

 

“Faleminderit pafundësisht për ju që përballë gjithë politikës së vjetër në pushtet dhe jo, oligarkëve, dhe krimit të organizuar që i mbështesin, qëndruat dhe i dhatë shpresë Partisë Demokratike, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.

 

Në këtë betëjë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë.

 

Padyshim vlersim e mirënjohje për të gjithë komisionerët e Partisë Demokratike në qendrat e votimit të 61 bashkive të vendit të cilët menaxhuan në mënyrë përfekte një process jo të lehtë për shkak të presioneve e parregullsive të shumta që shoqëruan votimin.

 

Gjithashtu PD inkurajon të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti. Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë.

 

I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal. 

 

Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke I dhënë fyrmëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE.”- tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *