Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një dështim spektakolar edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Partia e udhëhequr nga Albin Kurti ka humbur betejat në shumicën e komunave që shkuan në balotazh.

Kryeministri i Kosovës duke uruar fituesit, deklaroi se rezultati zgjedhor nuk ishte i kënaqshëm për shkak të defekteve të brendshme të partisë së tij.

ALBIN KURTI
KRYEMINISTRI I KOSOVES

“Unë do të bashkëpunoj me të gjithë ta në këtë betejë me të gjithë ata që duan ta luftojnë në këtë betejë krimin dhe do t’i mbikëqyrë me shumë vëmendje. Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme që ne duhet t’i analizojmë në vijim dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”

Me 1,700 vota më shumë, Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka arritur të fitojë kryeqytetin në garën me Arben Vitinë e Vetëvendosjes.

Rama, pasi shpalli fitoren, deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës, ndërsa Vitia pranoi humbjen duke uruar rivalin.

Goditje të rëndë partia e Albin Kurtit ka marrë edhe në shumë komuna të tjera. Përveç kryeqytetit, ka humbur edhe Prizrenin, ku kishte qeverisur në katër vjetët e fundit. Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, mposhti Mytaher Haskukën, me 1,075 vota më shumë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare fitoi mbi 50 përqind të votave, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të marrë asnjë komunë. Në balotazhi, partia e Kurtit fitoi vetëm në katër nga 12 komunat .

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë rreth 38 përqind e afro 1 milion e 270 mijë qytetarëve më të drejtë votë. Në fund të gjithë procesit, rezulton se Lista Serbe ka fituar 10 komuna, Partia Demokratike 9, Lidhja Demokratike 7, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5 komuna, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 4 komuna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *