Subscribe

Delegacioni i Bashkimit Europian ne Shqiperi reagoi lidhur me debatin e hapur mbi ndryshimin e nenit për ekstradimet në Kodin e Procedurës Penale. Duke ju përgjigjur interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë çështje, duke qenë se i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi dhe paketa e ligjeve shoqëruese u asistua ngushtësisht dhe nga misioni europian Euralius, Delegacioni i BE-së sqaroi se “ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”.

 

Kjo çështje u hap nga Partia Demokratike, si pjesë e akuzave që ajo ka ngritur ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me të vëllanë e tij të arrestuar në Itali në vitin 2002 e më pas të dënuar në 2012-ën me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës.

 

Sipas opozitës, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, zoti Xhafaj ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij, gjë e cila është hedhur poshtë nga socialistët. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

 

Sipas opozitës një formulim i tillë “pamundëson ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, si dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”.

 

Në shpjegimin dhënë “Zërit të Amerikës”, Delegacioni i BE-së shprehet se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës.

 

Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *