Me tonë të larta, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico i kërkoi politikës të mos baltosë figurën e mjekëve. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetaren Pranvera Borakaj, Fico i quajti akuzat e Lulzim Bashës për fshehje të viktimave një marrëzi. Fico shpjegoi se një mjek dokumenton me përgjegjësi çdo rast të humbjes së jetës.

 

“Së pari, të qenit mjek është një përgjegjësi ekstreme, sidomos në situata ku ka humbje jete. Në të gjitha rastet, njerëzit që punojnë e që janë përballur me vdekjen shumë herë, e dinë shumë mirë se nuk ka moment më të vështirë, është një moment i trishtë, një humbje e pazëvendësueshme dhe pa rikthim. Ne jemi të trajnuar që të gjitha rastet e humbjes së jetës të dokumentohen me përgjegjësi maksimale. Sepse diagnoza apo shkaku i vdekjes mund të verifikohet nga autopsia. Nuk ka mjek në botë që të mendojë ndryshe dhe të veprojë ndryshe. A mund të më thotë dikush pse vitet e punës të lodhshme, të stërmundimshme, mund të hidhen kaq kollaj tej për shifra që i shërbejnë kujt? Unë besoj përveç një marrëzie, nuk është asgjë më shumë. Dua ta trajtoj si marrëzi.”

 

Fico u shpreh e bindur se bluzat e bardha nuk mund të hedhin poshtë punën e tyre për të një urdhër që vjen nga politika.

 

“Autopsia është standardi i artë që vulos diagnozën klinike këtu e deri në Amerikë. Autposia verifikon, por në të gjitha rastet kur jemi përballë personave që kanë humbur jetën dhe kanë një diagnozë të përcaktuar me një ekzaminim që është konfirmues mund të thuash me gojën plot është shkaktar gripi, COVID-i, miokardi, e kështu me radhë. Por kjo nuk është e rëndësishme për ata që kanë humbur dikë dhe ata që na dëgjojnë. Mjekët nuk kanë arsye në botë të zhbëjnë karrierën e tyre profesionale për të bërë diçka se dikush u thotë kështu. Po përçmojnë punën tonë, të mbajnë duart larg. Boll me mjekët! Ju lutem boll me mjekët!”

 

Lulzim Basha thotë se numri i viktimave nga COVID-19 nuk është aq sa raportohet. Ai ka kërkuar nga prokuroria të nisë një hetim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *