Lufta e hapur mes Shtëpisë së Bardhë dhe një figure tjetër të lartë të agjencisë së inteligjencës ka ngritur intriga të reja rreth çështjes nëse Trump ka penguar drejtësinë në hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

 

Ish-zv/drejtori i FBI-së, Andrew McCabe i cili u shkarkua nga detyra ditën e premte, ka dorëzuar disa informacione  që i ka mbajtur shënim gjatë bisedave mes Trump dhe ish-drejtorit të FBI-së në atë kohë, James Comey.

 

Mediet amerikane thonë se informacionet e McCabe do të mbështesin versionin e Comeyt për rrethanat e shkarkimit të tij në muajin maj. Ish-drejtori i FBI-së ka dëshmuar se presidenti i kishte kërkuar besnikëri dhe gjithashtu të hiqte dorë nga hetimet për ish-këshilltarin e Sigurisë, Michael Flynn.

 

McCabe pati paraqitur dorëheqjen në datën 30 janar, në pritje të përfundimit të hetimeve, pasi ishte kritikuar publikisht nga presidenti Donald Trump për njëanshmëri politike.

 

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions tha se McCabe kishte zbuluar informacione të paautorizuara mediave dhe se nuk ishte treguar i sinqertë në raste të ndryshme, edhe pse nën betim.

 

Në një deklaratë të bërë pas njoftimit për shkarkimin, McCabe u shpreh se ky sulm ndaj besueshmërisë së tij është pjesë e një përpjekje më të madhe jo vetëm për të njollosur atë personalisht, por për të njollosur FBI-në, agjencitë e zbatimit të ligjit, si dhe profesionistët e shërbimeve të zbulimit në përgjithësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *