Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu nuk ra dakord me aktin normativ të nxjerrë këtë të mërkurë nga qeveria për mbajtjen me detyrim të maskave në ambientet e mbyllura.

Shehu tha në rrjetet sociale se ky vendim është i vonuar dhe se pasojat janë katastrofale.

“Me vonesë mbi dy mujore qeveria nxjerr aktin normativ për vendosjen e maskave. Shprehja “Më mirë vonë se kurrë” këtu është jashtë kontekstit se pasojat e vonesave janë katastrofale. Dikush duhet të përgjigjet për këtë e pasojat e saj! Ne e kemi dhënë alarmin e kërkuar këtë shumë kohë më parë. Por dhe tani vendimi është një “hile” meskine për të hedhur çdo gjë mbi qytetarët. Sepse sigurimi i maskave të përshtatshme është detyrë e shtetit si kudo në Evropë, që duhet të shpërndajë nga një copë në ditë gratis për qytetarët ose me çmim të kontrolluar për të tjerët (në Itali 0,5 E, në Spanjë 0,2 për ato kirurgjikalet).”

Tritan Shehu deklaroi se maska duhet të jetë e detyrueshme edhe në ambientet e hapura, ku njerëzit nuk mbajnë dot distancë. Sipas tij, akti normativ ka të qartë vetëm ndëshkimin e qytetarëve.

“Së dyti ky vendim është i mangët në shumë pika, p.sh. maskat duhet të përdoren detyrimisht edhe në ambiente të hapura me koncentrime të popullsisë ose kur distanca midis individëve është nën 2 m. Së treti nuk përcakton tipin e maskave që duhen përdorur, por çdo gjë lihet evazive e konfuzive mbas termit “jo medikale”, etj. Pra me këtë akt gjysmak që del mbas një “gjumi” të gjatë qeverisës e shkatërrues për njerëzit, ndërsa shteti nuk merr përsipër asnjë detyrim, ka vetëm diçka të qartë, penalizimi i qytetarëve me gjobë të rëndë kur nuk kanë maskat.”

Ministrja Ogerta Manastirliu bëri me dije se maskat duhet të mbahen në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit. Nëse kjo masë nuk zbatohet, qytetarët do të ndëshkohen me dy mijë lekë të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *